Infarkti i miokardit është një nga sëmundjet kardiovaskulare më të rënda dhe paraqet një rrezik të madh për jetën. Koha është thelbësore për mbijetesën: nëse pacienti merr kujdesin e duhur brenda tre orëve nga shfaqja e simptomave, mjekët janë në gjendje të ruajnë një pjesë të madhe të muskulit të dëmtuar të zemrës. Prandaj është e rëndësishme të jeni në dijeni të simptomave përkatëse, veprimeve që duhen ndërmarrë dhe mënyrave të parandalimit. Eshtë e rëndësishme të mbani mend: "Koha është muskul".
Çfarë është infarkti me saktësi?
Infarkti mund të ndodhë jo vetëm në zemër, por praktikisht në çdo organ të trupit të njeriut, duke përfshirë trurin dhe mushkëritë. Në kuptimin mjekësor, infarkti i referohet çdo ngjarjeje ku qarkullimi i gjakut drejt një indi reduktohet për shkak të bllokimit ose ngushtimit të arterieve, duke shkaktuar mungesë të oksigjenit. Nëse gjendja zgjat për më shumë se disa minuta, fillon vdekja e indeve të prekura. Infarkti akut i miokardit (AMI) i referohet vdekjes së indit të muskulit të zemrës, të shkaktuar nga mungesa e dërgimit të oksigjenit. Ecuria e infarktit të miokardit ndikohet ndjeshëm nga shkalla e vdekjes së indit, gjendja e arterieve koronare , si dhe nga komorbiditetet që ka pacienti.
Simptomat
Para se dikush të pësojë një infarkt , mundësisht shumë vite përpara, ai mund të përjetojë shenja tipike të caktuara të quajtura goditje të anginës, që përfshijnë dhimbje të kraharorit dhe paralajmërojnë reduktimin e qarkullimit të gjakut në muskulin e zemrës.
Kur infarkti ndodh te një person në moshë të re, këto shenja paralajmërimi janë edhe më të rralla. Megjithatë, te personat më të moshuar, edhe sforcimi më i lehtë fizik ose stresi emocional, apo ulja e papritur e temperaturës së ambientit, mund të nxisë ndjesinë e një shtrëngimi të dhimbshëm nën kockën e kraharorit, që mund të përhapet në nofulla ose te shpatulla, kyçi dhe gishtërinjtë e dorës së majtë (rrallëherë në të djathtë). Ndonjëherë dhimbja ndihet vetëm në pika larg zemrës te të cilat ajo është përhapur.
Nëse qarkullimi i gjakut rifillon pas disa minutash, pas qetësisë ose marrjes së medikamenteve që përmbajnë oksid nitrik, dhimbja kalon shpejt. Muskuli i zemrës rifillon funksionimin pa pësuar dëmtim. Dhimbja që ndihet gjatë infarktit të miokardit është e ngjashme me atë të goditjes së anginës, por shumë më e fortë, zgjat më shumë (për të paktën njëzet minuta) dhe nuk largohet pas marrjes së mjekimeve që përmbajnë oksid nitrik.
Mund të shoqërohet me ankth, frikë nga vdekja, djersë të ftohta, të përziera, të vjella dhe lodhje. Infarkti i miokardit mund të shoqërohet gjithashtu nga simptoma të tjera, të quajtura simptoma jotipike, si dhimbje në pjesën e stomakut ose të shpinës apo shqetësime abdominale. Këto simptoma janë më tipike në rastin e infarktit që prek pjesën e poshtme të barkushes së majtë. Një individ mund të pësojë infarkt të miokardit pa patur simptoma ose me simptoma shumë të lehta. Ky quhet infarkt i heshtur dhe zbulohet shumë më vonë, kur kryhet një test EKG-je për arsye të tjera.(1,2)
Si të veproni
Nëse mendoni se keni shenja të infarktit, zini një pozicion të rehatshëm dhe telefononi menjëherë për të kërkuar një ambulancë. Mos tentoni asnjëherë të shkoni në këmbë te doktori apo t'i jepni makinës. Nëse vini re se dikush pranë jush po shfaq simptomat e infarktit të përshkruara më sipër, telefononi menjëherë një ambulancë.
Nëse pacienti nuk merr frymë dhe nuk ka puls , mos hezitoni të filloni menjëherë procedurën e ringjalljes. Nuk duhet të harroni se keni vetëm disa minuta kohë për ta ndalur këtë proces fatal . Personi i prekur ka shanse të mbijetojë vetëm nëse nisni frymëmarrjen artificiale dhe masazhin e kraharorit brenda dhjetë minutash. Fati i pacientit varet gjithashtu nga sipërfaqja e muskulit të zemrës që është prekur nga vdekja e indit, si dhe nga koha që nevojitet për të hapur arterien e bllokuar. Për rrjedhojë, gjëja më e rëndësishme është të garantohet dërgimi i këtyre pacientëve te një qendër kardiologjie, sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të kryhen procedurat e duhura për hapjen e arteries koronare dhe rifillimin e qarkullimit të gjakut në inde. Masat e shpejta mund të shpëtojnë jetë, ndaj personi i parë që zbulon se dikush është i sëmurë mbart një përgjegjësi të madhe. Gjysma e personave që vdesin brenda një viti nga pësimi i një infarkti të miokardit, vdesin një ose dy orë pas shfaqjes së simptomave, dhe shumica prej tyre përpara se të arrijnë në spital.(3) E vetmja mënyrë për të përmirësuar këto statistika të zymta është të merrni seriozisht shenjat e infarktit dhe të telefononi për ndihmë mjekësore.
Çfarë mund të bëjnë mjekët?
Mjeku që arrin me ambulancë në vendngjarje përcakton diagnozën e infarktit, administron mjekimin për lehtësimin e dhimbjes, dhe e dërgon pacientin në spital - nëse është e nevojshme, në një spital me laborator kateterizimi. Një test EKG-je kryhet që në ambulancë për të vlerësuar vendndodhjen dhe sipërfaqen e muskulit të zemrës të prekur nga vdekja e indit, si dhe për të përcaktuar nëse dëmtimi në zemër ka shkaktuar aritmi kërcënuese për jetën. Çdo minutë vlen; siç thonë kardiologët, koha është muskul zemre. Ndërhyrja koronare primare perkutane (PCI) kryhet brenda strategjisë së preferuar të trajtimit te pacientët me infarkt miokardi brenda 12h nga fillimi i simptomës, me kusht që të mund të kryhet brenda dy orësh nga diagnoza (1) . Brenda këtij afati kohor kjo procedurë mund të kursejë një pjesë të konsiderueshme të muskulit të dëmtuar të zemrës.
Çfarë ndodh në qendrën e kardiologjisë? Mjekët dhe infermierët e trajnuar në mënyrë të posaçme kontrollojnë pulsin e pacientit, presionin e gjakut dhe nivelet e oksigjenit në gjak. Pacientëve u jepen tableta aspirine për të reduktuar rrezikun e krijimit të koagulave të gjakut në arteriet koronare, duke përmirësuar kështu shanset e tyre për mbijetesë. Pacientit i jepet oksigjen për të rritur nivelet e oksigjenit në gjak, si dhe disa medikamente të tjera për të normalizuar ritmin e zemrës. Arteria koronare e bllokuar zgjerohet duke përdorur një balon, e cila futet me ndihmën e një kateteri. Gjatë ndërhyrjes, futet një kateter me balon në një nga arteriet kryesore, zakonisht në atë në ije, për të arritur te arteria koronare. Kirurgu zbulon vendndodhjen e saktë të bllokimit të arteries dhe përdor balonin zgjerues për të ngjeshur në muret e arteries pllakën që pengon qarkullimin e gjakut, dhe heq koagulën e gjakut. Për të parandaluar riformimin e pllakave në murin e arteries, në arterien koronare vendoset një rrjetë metalike në formë cilindrike, që quhet stent .
Ndryshimet në stilin e jetesës pas një infarkti
Disa dekada më parë, pacientëve që pësonin infarkt u kërkohej të qëndronin në shtrat për gjashtë javë. Edhe nëse i mbijetonin kësaj periudhe, këta pacientë kishin dëmtime të konsiderueshme në zemër dhe pritshmëritë për të ardhmen ishin mjaft të zymta. Sot, të gjithë jemi në dijeni të efekteve negative të qëndrimit në shtrat për një kohë të gjatë. Për këtë arsye, pasi ka kaluar faza akute, pacientët vihen menjëherë në lëvizje, zakonisht ditën e parë pas infarktit; ata mund të ngrihen nga shtrati dhe të ecin në sipërfaqe të sheshta. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për të parandaluar komplikacione të hershme si tromboza e venave të thella. Nëse infarkti ka prekur vetëm një sipërfaqe të vogël të muskulit të zemrës dhe pacienti nuk ka simptoma, shtrimi në spital zgjat vetëm disa ditë. Më pas, monitorimi realizohet si pjesë e një programi rehabilitimi që ka si synim të parandalojë ripërsëritjen e infarktit, të reduktojë vdekshmërinë dhe të përmirësojë cilësinë e jetës së pacientit.
Gatishmëria e pacientit për të ndjekur stilin e rekomanduar të jetesës, si dhe marrja e mjekimeve sipas këshillave të mjekut, ka një ndikim të jashtëzakonshëm në rezultatet e ardhshme. Këshillat më të rëndësishme janë lënia e menjëhershme dhe e plotë e duhanit; ndjekja e dietës së këshilluar; dhe aktiviteti fizik i rregullt. Vendimet për aktivitetin fizik duhet të individualizohen, bazuar në funksionin e ventrikulit të majtë, tërësinë e revaskularizimit, kontrollin e ritmit dhe karakteristikat e punës. Inkurajohet aktiviteti fizik i lehtë- i moderuar pas daljes nga spitali. (1) Para fillimit të ndonjë programi stërvitje, është e rëndësishme që të këshilloheni me një mjek për këshillën mbi intensitetin, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e trajnimit të përshtatshme për aftësitë fizike të pacientit.
Infarkti mund të parandalohet. Mund të merrni masa për të ruajtur shëndetin dhe fleksibilitetin e enëve të gjakut. Kalimi te një dietë e shëndetshme dhe te një stil jetese më i shëndetshëm që përfshin aktivitet fizik, është pa dyshim një hap i rëndësishëm. Aspirin® Protect 100 mg është një bar që përmban acid acetilsalicilik. Marrja e 1 tablete në ditë frenon ngjitjen anormale të pllakëzave të gjakut dhe pengon krijimin e koagulave të gjakut që mund të ngushtojnë ose bllokojnë enët e gjakut, duke reduktuar kështu rrezikun e infarktit.(4)
Në pacientët pas infarktit të miokardit Aspirin Protect është një terapi e gjatë.
Lexoni fletudhëzuesin e pacientit ose këshillohuni me mjekun ose farmacistin tuaj për të mësuar rreth rreziqeve dhe efekteve anësore.
Referenca:
- (1) Ibanez B, James S, Agewall S, et al. 2017 ESC Guidelines for the management of acute myocardial infarction in patients presenting with ST-segment elevation: The Task Force for the management of acute myocardial infarction in patients presenting with ST-segment elevation of the European Society of Cardiology (ESC). Eur Heart J. 2018;39(2):119-177. doi:10.1093/eurheartj/ehx393. Return to content
- (2) de Torbal A, Boersma E, Kors JA, van Herpen G, Deckers JW, van der Kuip DA, Stricker BH, Hofman A, Witteman JC. Incidence of recognized and unrec- ognized myocardial infarction in men and women aged 55 and older: the Rotterdam Study. Eur Heart J 2006;27(6):729–736. Return to content
- (3) Moeini M, Mahmoudian SN, Khalifezadeh A, Pour AH. Reviewing time intervals from onset of the symptoms to thrombolytic therapy in patients with ST segment elevation myocardial infarction (STEMI). Iran J Nurs Midwifery Res. 2010;15(Suppl 1):379-385. Return to content
- (4) Aspirin Protect Patient Information Leaflet, as approved by AKBPM 05/2022. Return to content
Artikuj të ngjashëm:
Tabletat Aspirin® Protect rekomandohen për uljen e rrezikut të vdekshmërisë tek pacientët që dyshohen për infarkt akut të miokardit ; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me infarkt miokardi të mëparshëm; për parandalimin dytësor të insultit cerebral; për uljen e rrezikut të pamjaftueshmërisë së përkohëshme të qarkullimit në tru (i quajtur ataku ishemik tranzitor) dhe insultit cerebral tek pacientët me atak ishemik tranzitor; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me angina pektoris të qëndrueshme e të paqëndrueshme (sëmundje kardiake të karakterizuara nga dhimbje spastike, kontraktuese në gjoks); për parandalimin e bllokimit të qarkullimit si pasojë e mpiksjes së gjakut (tromboembolizmit) pas disa lloj ndërhyrjesh kirurgjikale vaskulare; për uljen e rrezikut të infarktit parësor të miokardit tek personat me faktorë rreziku kardiovaskular (si diabet mellitus, hiperlipidemi , hipertension, obezitet , duhanpirje, moshë e madhe).
Bar pa recetë me përmbajtje acidi acetilsalicilik. Bayer d.o.o Zyre Perfaqësie Tiranë
Rruga Elbasanit, nr 60, Pall Gerard-A. 1, shk 1/1. Tiranë, Shqipëri
Përpara përdorimit lexoni më kujdes udhëzimet për përdorimin, dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme.