Pini çaj – Ruani shëndetin

Pini çaj – Ruani shëndetin

Nuk ka asgjë si një filxhan me çaj të nxehtë për të nisur mëngjesin ose një gotë me çaj të ftohtë për t'u freskuar gjatë verës. Për më tepër se 5000 vite, popuj dhe kultura të ndryshme në mbarë globin kanë shijuar pirjen e çajit, duke e kthyer atë në pijen e dytë më të konsumuar pas ujit. Fatmirësisht, paraardhësit tanë që konsumonin çaj, kishin mençurinë për të kuptuar vlerën e tij dhe largpamësinë për të vazhduar traditën e shijimit të këtij eliksiri, për të cilin tashmë dimë se ka dobi shëndetësore të mëdha. Një nga dobitë e shumta të njohura, të zbuluara nga studimet moderne: Konsumi i lartë i çajit kontribuon në shëndetin e zemrës.

Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2012 në "Food & Function", çaji i zi dhe ai jeshil mund të ulin rrezikun e sëmundjeve koronare të zemrës dhe iktusit me 10% deri në 20%.(1) Dy vite më parë, në revistën mjekësore "Arteriosclerosis, Thrombosis and Vascular Biology" u publikua një nga studimet më të mëdha mbi ndikimin e konsumit të çajit në shëndetin e zemrës. Studimi monitoroi mbi 37 000 persona në Holandë përgjatë 13 viteve dhe zbuloi se personat që pinë më tepër çaj kanë më pak gjasa të vdesin nga sëmundjet e zemrës krahasuar me personat që nuk pinë çaj. Pjesëmarrësit në studim, të cilët pinin tre deri në gjashtë filxhanë çaj në ditë, kishin 45% më pak gjasa që të vdisnin nga sëmundjet e zemrës krahasuar me ata që pinin më pak se një filxhan, ndërsa konsumi i më tepër se gjashtë filxhanëve me çaj në ditë shoqërohej me një reduktim prej 36% të rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës krahasuar me rastet e konsumit të më pak se një filxhan.(2)

Pini çaj– Qëndroni të shëndetshëm

Shpjegime mbi çajin

Edhe pse të katër llojet e çajrave, të njohura si "çajrat e vërteta" — çaji i bardhë, jeshil, blu (oolong) dhe i zi — ofrojnë një mori dobish shëndetësore, shumica e studimeve kanë treguar se çaji i zi dhe jeshil janë më të dobishmit për shëndetin e zemrës. Secili nga llojet e çajrave përgatitet nga gjethet e shkurres jogjetherënëse Camellia sinensis, por dallimet midis tyre qëndrojnë te metoda e përpunimit për përftimin e varieteteve individuale. Çaji i bardhë është lloji me nivelin më të ulët të përpunimit dhe bëhet nga sythat dhe disa gjethe të bimës Camellia sinensis, të cilat zihen në avull dhe thahen. Çaji jeshil prodhohet nga gjethet e sapo këputura, të cilat zihen menjëherë në avull për të parandaluar oksidimin dhe ekspozimin ndaj oksigjenit. Çaji blu (oolong) lihet të oksidohet për një periudhë të shkurtër, ndërsa çaji i zi oksidohet plotësisht. Përbërësit e çajit që përmirësojnë shëndetin ndikohen nga nivelet e ndryshme të oksidimit, të cilat i japin tipare unike çdo lloji çaji.

Çaji jeshil

Procesi i zierjes së çajit jeshil në avull shkatërron enzimat që shpërbëjnë pigmentet e ngjyrës te gjethet, duke mundësuar ruajtjen e ngjyrës së gjelbër. Më pas, gjethet mbështillen dhe thahen, duke ruajtur polifenolet e tyre natyrale që janë antioksidues të fuqishëm.

Shumica e polifenoleve në çajin jeshil janë në formën e flavonoideve, të njohur specifikisht si katekina, të cilët janë përbërësit kimikë të bimës, përgjegjës për vetitë e ruajtjes së shëndetit të zemrës që ka çaji jeshil. Për shkak të dallimeve në përpunim, çaji jeshil përmban më shumë katekina krahasuar me varietetet e tjera.

Disa studime të publikuara së fundmi tregojnë se antioksiduesit e fuqishëm në çajin jeshil mund të ndihmojnë në parandalimin e aterosklerozës dhe disa sëmundjeve të caktuara të arteries koronare për shkak të efekteve të tyre antiinflamatore mbi krijimin e pllakave në rrymën e gjakut dhe në muret arteriale.(7)

Gjithashtu, katekinat e çajit jeshil bashkëveprojnë për të ulur kolesterolin. Një analizë e vitit 2011 e gazetës së Shoqatës Amerikane të Dietave raportoi se "konsumi i katekinave të çajit jeshil shoqërohet statistikisht me një ulje të konsiderueshme të niveleve të përgjithshme të LDL-së (lipoproteinës me densitet të ulët) dhe kolesterolit". Për më tepër, çaji mbron grimcat e LDL-së nga oksidimi që shkakton krijimin e pllakave në arterie .(3)

Çaji i zi

Çaji i zi mund të mos ketë aq polifenole sa çaji jeshil, por ndryshimet në polifenolet e tij gjatë procesit të oksidimit, krijojnë një set përbërësish unikë me një sërë dobish për ruajtjen e shëndetit të zemrës. Në fakt, një studim i vitit 2012 zbuloi se konsumi i tre filxhanëve çaj në ditë, përgjatë 12 javëve, sjell një rënie të konsiderueshme të niveleve të sheqerit dhe triglicerideve në gjak, rritje të niveleve të kolesterolit HDL (lipoproteinës me densitet të lartë) dhe rritje të nivelit të antioksiduesve në gjak, të cilët mund të mbrojnë ndaj stresit oksidues dhe inflamacionit.(4)​​​​​​​

Një kërkim tjetër, si studimi i vitit 2012 i raportuar në "Archives of Internal Medicine", ka treguar se çaji i zi përmirëson funksionin endotelial dhe presionin e gjakut.(5)​​​​​​​

Pini çaj– Qëndroni të shëndetshëm

Çajrat bimorë

Edhe pse çaji jeshil, i bardhë, oologn dhe i zi përmbajnë sasitë më të mëdha të antioksiduesve të fuqishëm, çajrat bimorë mbeten një zgjedhje e shëndetshme. “Çajrat bimorë kanë përqendrime më të ulëta të antioksiduesve, sepse përbërja kimike varion gjerësisht nga njëra bimë në tjetrën” shpjegon Emily Bailey, RD, LD, e cila mbikëqyr programin korporativ të mirëqenies për kompaninë "Republic of Tea" dhe është drejtuese e trajnimit mbi ushqimin pranë "NutriFormance-Fitness, Therapy, and Performance" në St Louis. Rooibos, ose çaji i kuq, i prodhuar nga bima afrikano-jugore Aspalathus linearis, është vërtetuar se sjell dobi për zemrën, si p.sh. në studimin e vitit 2011 ku vullnetarët pinë gjashtë filxhanë me çaj të kuq në ditë për gjashtë javë dhe patën ulje të kolesterolit LDL.(6)

Një përbërës i zakonshëm në shumë përzierje të çajit bimor, çaji hibiskus, mund të jetë i mirë për zemrën dhe konsumimi i rregullt mund të ulë presionin e gjakut te të rriturit hipertensivë.

Çajrat bimorë janë veçanërisht shumë të dobishëm për personat që nuk e pëlqejnë çajin jeshil ose të zi; e rëndësishme është që t'i pini shpesh. Ende nuk është vërtetuar me saktësi se cila është sasia e çajit që duhet të konsumohet. Megjithatë, konsumi i një sasie më të madhe se ajo e zakonshme mund të sjellë shumë dobi.

Edhe pse ka suplemente çaji që mund të jenë gjithashtu të dobishme, ekspertët rekomandojnë çajin në formë të lëngshme.

Natyrisht, nuk është e nevojshme që të pini disa litra çaj njëkohësisht. Pini vazhdimisht sasi të vogla gjatë ditës për të ruajtur një nivel të lartë të antioksiduesve në trup, për të mbajtur të pastra enët e gjakut dhe për të parandaluar krijimin e koagulave dhe aterosklerozës. Gjatë ditës, çajin mund ta konsumoni në mënyra të ndryshme për varietet: Të ngrohtë ose të ftohtë, ose me pak lëng limoni - si t'ju shijojë më tepër. Duhet të keni parasysh se shtimi i qumështit në çaj mund të zbehë vetitë e tij pozitive.

Referenca

  • (1) Bøhn SK, Ward NC, Hodgson JM, Croft KD. Effects of tea and coffee on cardiovascular disease risk. Food Funct. 2012;3(6):575-591. doi:10.1039/c2fo10288a. Return to content
  • (2) de Koning Gans JM, Uiterwaal CS, van der Schouw YT, et al. Tea and coffee consumption and cardiovascular morbidity and mortality. Arterioscler Thromb Vasc Bio. 2010;30(8):1665-1671. Return to content
  • (3) Kim A, Chiu A, Barone MK, et al. Green tea catechins decrease total and low-density lipoprotein cholesterol: a systematic review and meta-analysis. J Am Diet Assoc. 2011;111(11):1720-1729. Return to content
  • (4) Bahorun T, Luximon-Ramma A, Neergheen-Bhujun VS, et al. The effect of black tea on risk factors of cardiovascular disease in a normal population. Prev Med. 2012;54 Suppl:S98-S102. Return to content
  • (5) Hodgson JM, Puddey IB, Woodman RJ, et al. Effects of black tea on blood pressure: a randomized controlled trial. Arch Intern Med. 2012;172(2):186-188. Return to content
  • (6) Marnewick JL, Rautenbach F, Venter I, et al. Effects of rooibos (Aspalathus linearis) on oxidative stress and biochemical parameters in adults at risk for cardiovascular disease. J Ethnopharmacol. 2011;133(1):46-52. Return to content
  • (7) Ming Li et al; Epigallocatechin-3-gallate inhibits angiotensin IIand interleukin-6-induced C-reactive protein production in macrophages; Pharmacological Reports, 2012, 64, 912-914. Return to content

Artikuj të ngjashëm:

Tabletat Aspirin® Protect rekomandohen për uljen e rrezikut të vdekshmërisë tek pacientët që dyshohen për infarkt akut miokardit ; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me infarkt miokardi të mëparshëm; për parandalimin dytësor të insultit cerebral; për uljen e rrezikut të pamjaftueshmërisë së përkohëshme të qarkullimit në tru (i quajtur ataku ishemik tranzitor) dhe insultit cerebral tek pacientët me atak ishemik tranzitor; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me angina pektoris të qëndrueshme e të paqëndrueshme (sëmundje kardiake të karakterizuara nga dhimbje spastike, kontraktuese në gjoks); për parandalimin e bllokimit të qarkullimit si pasojë e mpiksjes së gjakut (tromboembolizmit) pas disa lloj ndërhyrjesh kirurgjikale vaskulare; për uljen e rrezikut të infarktit parësor të miokardit tek personat me faktorë rreziku kardiovaskular (si diabet mellitus, hiperlipidemi , hipertension, obezitet , duhanpirje, moshë e madhe).
 

 

Bar pa recetë me përmbajtje acidi acetilsalicilik. Bayer d.o.o Zyre Perfaqësie Tiranë
Rruga Elbasanit, nr 60, Pall Gerard-A. 1, shk 1/1. Tiranë, Shqipëri

Përpara përdorimit lexoni më kujdes  udhëzimet për përdorimin, dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme.