Sëmundja ishemike e zemrës: një gjendje e shkaktuar nga qarkullimi i pamjaftueshëm i gjakut në muskulin e zemrës

Sëmundja ishemike e zemrës: një gjendje e shkaktuar nga qarkullimi i pamjaftueshëm i gjakut në muskulin e zemrës

Sëmundja ishemike e zemrës (IHD) është një term i përbashkët për gjendjet ku furnizimi i pamjaftueshëm me gjak (në terma mjekësorë: ishemia) i muskulit të zemrës luan një rol në zhvillimin e sëmundjes.

Në vendet e përparuara të industrializuara, sëmundja ishemike e zemrës ka qenë një shkak kryesor i vdekjes me dekada. Ndërsa vdekshmëria për shkak të kushteve akute, p.sh. infarkti i miokardit , ka rënë disi, prevalenca dhe vdekshmëria për shkak të sëmundjeve kronike siç është semundja ishemike e zemrës janë rritur. Aktualisht, 1 në 4  vdekje shkaktohet nga IHD. OBSH parashikon që deri në vitin 2030, IHD do të bëhet një shkak kryesor i vdekjes jo vetëm në shoqëritë e mirëqenies, por edhe në vendet e botës së tretë, d.m.th. në të gjithë botën. (1)

Arteriet koronare

Muskuli i zemrës

 

Arteriet koronare janë enët e gjakut që furnizojnë me gjak zemrën dhe muskujt e saj, duke e rrethuar zemrën si një kurorë. Këto arterie dërgojnë gjak të pasuruar me oksigjen në qelizat e muskulit të zemrës. Një stil jetese jo i shëndetshëm: dieta e pasur në yndyra, duhanpirja, mungesa e ushtrimeve fizike, mund të shkaktojë krijimin e depozitave dhjamore në muret e brendshme të arterieve koronare, duke penguar qarkullimin e gjakut. Kjo redukton qarkullimin e gjakut dhe pengon dërgimin e oksigjenit të mjaftueshëm në muskulin e zemrës. Prishja e ekuilibrit të kërkesës dhe furnizimit me oksigjen shkakton dobësim të qarkullimit, pra ishemi të muskulit të zemrës. Ishemia e zgjatur dhe e rëndë çon në vdekje të një pjese të muskulit të zemrës, ndërkohë që mungesa e përkohshme e oksigjenit shkakton ishemi të muskujve të zemrës. Ishemia mund të shfaqet në mënyra të ndryshme. Ishemia e muskulit të zemrës mund të shoqërohet me simptoma ( angina pectoris , anomali të gjenerimit të sinjalit dhe/ose transmetimit të sinjalit, insuficiencë kardiake akute ose vdekje e menjehereshme.(2) Zhvillimi i formave të ndryshme të sëmundjes ndikohet ndjeshëm nga kohëzgjatja e ishemisë dhe natyra e dëmtimit funksional rezultues.

Tendencat nëpër botë

Sëmundjet kardiovaskulare janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjes te burrat dhe gratë. Ato përbëjne 31.5% të të gjitha vdekjeve dhe 45% të të gjitha vdekjeve nga sëmundjet jo ngjitëse, dy herë me shume se ato të shkaktuara nga kanceri, si dhe më shumë se nga kombinimi i të gjitha çrregullimeve të transmetueshme, maternale, neonatale dhe të ushqyerjes. (7)

Shenjë paralajmëruese: dhimbja e kraharorit

Dhimbja e kraharorit e shkaktuar nga sëmundja ishemike e zemrës është një nga simptomat më të rëndësishme të furnizimit të pamjaftueshëm me gjak të muskulit të zemrës. Megjithatë, është e rëndësishme të dimë se një person mund të ketë ishemi të muskulit të zemrës pa dhimbje të kraharorit, e quajtur ishemi e heshtur. Dhimbja e kraharorit që zgjat për një periudhë të shkurtër kohe, më pak se 20 minuta, duhet të ngrejë kryesisht dyshimin për angina pectoris, ndërkohë që një dhimbje që zgjat më shumë se 20 minuta mund të jetë paralajmërim i infarktit të miokardit . Dhimbja e kraharorit dhe shqetësimi në kraharor janë simptoma shumë të zakonshme, që mund të shkaktohen nga një sërë gjendjesh që nuk kanë domosdoshmërisht lidhje me zemrën. Kjo mund të nënkuptojë një anomali beninje, por edhe gjendje shumë të rënda, ku koha e trajtimit është shumë e rëndësishme. Ankesat dhe simptomat gjykohen në mënyrë subjektive, në varësi të moshës së pacientit dhe në bazë të shumë faktorëve të tjerë. Ka edhe informacione që sugjerojnë se burrat dhe gratë e gjykojnë gjendjen e tyre në mënyrë të ndryshme. E njëjta gjendje klinike përjetohet si dhimbje e tmerrshme e kraharorit nga disa pacientë, ndërsa të tjerë e përshkruajnë thjesht si një shtrëngim të lehtë. Në përgjithësi, simptomat vegjetative që shfaqen bashkë me shqetësimin ose dhimbjen në kraharor sinjalizojnë një gjendje të rëndë. Gratë që pësojnë infarkt raportojnë më shpesh se burrat të përziera, të vjella dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërkohë që burrat raportojnë më shpesh djersitje. Simptomat variojnë sipas personit dhe mund të përfshijnë dhimbje dhe shtrëngim në kraharor, vështirësi në frymëmarrje, rëndesë në kraharor ose shqetësim të lehtë. Dhimbja mund të kalojë në krah, mjekër, qafë ose shpinë. Simptomat mund të jetë të papritura dhe akute ose mund të shfaqen gradualisht ose në mënyrë periodike.(3)

Dhimbja që ndryshon kur pacienti mbushet me frymë, ndryshon pozicionin e trupit ose ha, ose dhimbja e lokalizuar në një zonë specifike të murit të kraharorit ose që shoqërohet me ndjeshmëri ndaj shtypjes mund të nënkuptojë një gjendje më pak të rëndë. Simptomat që pengojnë aktivitetin normal ose që shoqërohen me djersë të ftohta, të përziera, të vjella, marramendje ose një ndjesi të pashpjegueshme frike, mund të jenë shenja të një gjendjeje më të rëndë.(4)

Çdo minutë vlen

Shqetësimi dhe simptomat e tjera të kraharorit të shkaktuara nga sëmundja ishemike e zemrës nuk shfaqen domosdoshmërisht në shkallë dramatike. Shumë shpesh, ato shfaqen në mënyrë graduale, të ngadaltë, hap pas hapi, ose me luhatje. Ndonjëherë ato perceptohen jo si dhimbje, por si një ndjesi presioni, djegieje ose debulese, çka i bën pacientët të presin shumë gjatë para se të kërkojnë ndihmë. Problemi këtu qëndron në faktin se koha e harxhuar shkurton periudhën kohore të hershme që është me rëndësi thelbësore për një trajtim efektiv. Përvoja e përgjithshme tregon se nëse simptomat shfaqen në shtëpi, pacientët presin më gjatë sesa po t'i përjetojnë ato në publik ose në vendin e tyre të punës. Nëse simptomat janë të rënda, pacientët janë më të predispozuar të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore. Gjithashtu, individët që njoftojnë një ambulancë janë në përgjithësi në gjendje më të rëndë sesa ata që kontaktojnë në fillim mjekun e përgjithshëm. Është e rëndësishme të dini se, për shkak se simptomat e kraharorit mund të jenë shenja të një gjendjeje të rëndë kërcënuese për jetën, nuk duhet të prisni që ato të kalojnë, por duhet të njoftoni menjëherë mjekun ose ambulancën.

Pasojat e sëmundjes

Sa më efektiv trajtimi që marrin pacientët me sëmundje të arteries koronare, aq më vonë do të pësojnë infarkt. Angina pectoris mund të pasohet nga vdekja e një pjese të muskulit të zemrës, ose infarkti, dhe të rezultojë në insuficiencë kardiake. Shkalla e vdekjes në spital është e lidhur me moshën dhe zakonisht varion nga 4% në 10% për pacientët me insuficiencë akute të zemrës. Mbijetesa afatgjatë e pacientëve pas një episodi të insuficencës akute të zemrës gjithashtu mbetet e dobët, me shkallë të vdekjes së raportuar 5 vjet rreth 70% (5). OBSH parashikon se brenda vitit 2020, IHD do të jetë shkaktari kryesor i vdekjes në të gjithë botën, duke përfshirë vendet në zhvillim.(1) Kjo nënkupton një numër shumë të madh vdekjesh, ndaj përgjegjësia mjekësore dhe sociale është tejet serioze. Çelësi për shmangien e kësaj është parandalimi. Duhet theksuar se për këtë qëllim, personat me faktorë të shumtë rreziku duhet të konsiderohen pacientë edhe nëse nuk kanë ankesa dhe testi i EKG-së nën sforcim është negativ. Kjo ndodh për shkak se një arterie mund të bllokohet plotësisht pa asnjë simptomë të mëparshme, sikurse është rasti me 60% të infarkteve.

Parandalimi

Ne jemi në gjendje të kontrollojmë pjesën më të madhe të faktorëve të zakonshëm të rrezikut, edhe pse jo të gjithë. Në ditët e sotme shohim njerëz që marrin përsipër shumë punë dhe bëjnë një jetë tepër të stresuar për të siguruar dhe mbajtur një jetesë të sigurt. Fatkeqësisht, kjo i kalon në plan të dytë aktivitetet që mbajnë nën kontroll faktorët e rrezikut kardiovaskular , pra stërvitjen e rregullt, ndërprerjen e konsumit të duhanit dhe të ushqyerit e shëndetshëm. Shumë persona kryejnë një punë të dytë ose të tretë, ose fillojnë duhanin apo alkoolin për shkak të stresit dhe nuk mendojnë asnjëherë të përfshijnë aktivitete të tilla si stërvitja në jetën e tyre të përditshme. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të gjithë të jenë në dijeni të rrezikut të sëmundjes ishemike të zemrës.

Ndryshimi i stilit të jetesës përbën sfidë për shumë njerëz, edhe nëse e dinë me saktësi se çfarë duhet të bëjnë. Megjithatë, këshillat për stilin e jetës janë të dobishme vetëm nëse marrësit ndërmarrin hapa të qëllimshëm dhe aktivë për parandalimin. Qëllimi i parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare është reduktimi i frekuencës së ngjarjeve të para dhe të përsëritura klinike të lidhura me sëmundjet ishemike, veçanërisht në lidhje me aftësinë e kufizuar dhe vdekjen e hershme. Kjo mund të arrihet duke ndryshuar faktorët e rrezikut që lidhen me stilin e jetesës, duke trajtuar faktorët kryesorë të rrezikut në mënyrë të fokusuar dhe të individualizuar dhe duke marrë medikamente të caktuara.

Sipas udhëzimeve më të fundit të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë për diagnostikimin dhe administrimin e sindromit koronar kronik, rekomandimet e mëposhtme zbatohen për të gjithë individët që kanë një sëmundje kardiovaskulare: (6)

  • Të ushqyerit e shëndetshëm: ulja e sasisë së yndyrave të ngopura dhe kolesterolit, si dhe konsumi i acideve yndyrore Omega-3 (peshk), frutave, perimeve dhe drithërave të papërpunuara.
  • Ndërprerja e duhanit: krahas këshillimit mjekësor të rregullt, terapia e zëvendësimit të nikotinës (përtypja e çamçakëzit, bandazhet e nikotinës) ose farmakoterapi të tjera mund të ndihmojnë në lënien e duhanit.
  • Ushtrimet fizike: në formën e trajnimit fizik aerobik me intensitet të moderuar të përshtatur për nevojat individuale të një personi dhe që kryhet të paktën pesë herë në javë, mundësisht për 30 deri në 60 minuta. Nëse është e mundur, të gjithë pacientët pas infarktit duhet të marrin pjesë në një program ushtrimesh rehabilituese si pacientë të shtruar ose ambulatorë

Referenca:

Artikuj të ngjashëm:

Tabletat Aspirin® Protect rekomandohen për uljen e rrezikut të vdekshmërisë tek pacientët që dyshohen për infarkt akut miokardit ; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me infarkt miokardi të mëparshëm; për parandalimin dytësor të insultit cerebral; për uljen e rrezikut të pamjaftueshmërisë së përkohëshme të qarkullimit në tru (i quajtur ataku ishemik tranzitor) dhe insultit cerebral tek pacientët me atak ishemik tranzitor; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me angina pektoris të qëndrueshme e të paqëndrueshme (sëmundje kardiake të karakterizuara nga dhimbje spastike, kontraktuese në gjoks); për parandalimin e bllokimit të qarkullimit si pasojë e mpiksjes së gjakut (tromboembolizmit) pas disa lloj ndërhyrjesh kirurgjikale vaskulare; për uljen e rrezikut të infarktit parësor të miokardit tek personat me faktorë rreziku kardiovaskular (si diabet mellitus, hiperlipidemi , hipertension, obezitet , duhanpirje, moshë e madhe).
 

 

Bar pa recetë me përmbajtje acidi acetilsalicilik. Bayer d.o.o Zyre Perfaqësie Tiranë
Rruga Elbasanit, nr 60, Pall Gerard-A. 1, shk 1/1. Tiranë, Shqipëri

Përpara përdorimit lexoni më kujdes  udhëzimet për përdorimin, dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme.