Një në dy gra preket nga sëmundje kardiovaskulare gjatë jetës së saj. Ndryshe nga ajo që thuhet, sëmundjet e zemrës vrasin më shumë gra se kanceri i gjirit.(1) Kemi parë gra të fitojnë betejën me kancerin e gjirit përmes fushatave të ndryshme për kancerin e gjirit, të cilat rrisin ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kryerjes së analizave, si dhe përmes trajtimeve dhe medikamenteve të panumërta. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë me zemrën. Dr. C. Noel Bairey Merz, një eksperte e njohur e kësaj fushe, bëri një prezantim TED* në vitin 2011 për të përçuar mesazhin e saj.
“Nga viti 1984, në SHBA vërehet se ka më shumë gra sesa burra që vdesin nga sëmundjet e zemrës. Dikur sëmundjet e zemrës i shihnim kryesisht si problem mashkullor, gjë që nuk ka qenë kurrë e vërtetë”, tha ajo, duke shtuar “Te grafiku i meshkujve, shkalla e vdekshmërisë sa vjen e ulet, dhe mund të shihni se nga viti 1984 grafiku i femrave sa vjen e rritet. Hendeku po zgjerohet: Më shumë femra, dy, tre, katër herë më shumë femra se meshkuj po vdesin nga sëmundjet e zemrës. Ajo çfarë kjo na sugjeron në të vërtetë në nivel kombëtar është se strategjitë terapeutike, të zhvilluara te meshkujt, nga meshkujt, për meshkujt gjatë 50 viteve të fundit... nuk po funksiononin kaq mirë për femrat.”(2)
Në prezantimin e saj, ajo thekson nevojën për të krijuar një fushatë të ngjashme me fushatën e kancerit të gjirit për ta trajtuar këtë problem dhe për të ndihmuar që sa më shumë gra të mësojnë rreth këtij problemi. “Të gjithëve na vjen ndërmend dikush, shpeshherë një femër e re, e cila është prekur nga kanceri i gjirit. Por shpeshherë nuk na vjen ndërmend asnjë femër e re me sëmundje të zemrës. Më lejoni t’ju them arsyen pse. Sëmundjet e zemrës vrasin njerëz, shpesh brenda një kohe shumë të shkurtër. Pra, kur sëmundjet e zemrës prekin për herë të parë gratë apo burrat, në gjysmën e rasteve ato rezultojnë në vdekje kardiake të beftë, pa na lënë asnjë mundësi për t'u thënë lamtumirë apo për t'i çuar në kimioterapi. Vdekshmëria nga kanceri i gjirit ka zbritur në katër përqind dhe kjo falë 40 viteve promovim të kauzës nga ana e grave. Betty Ford, Nancy Reagan ngritën zërin dhe thanë, “Unë i mbijetova kancerit të gjirit”. Ato gjetën edhe mbështetjen e mjekëve. U kryen një sërë studimesh dhe tani kemi një terapi efektive. Gratë jetojnë më gjatë se kurrë. Ka ardhur koha që e njëjta gjë të ndodhë edhe për sëmundjet e zemrës. Ende nuk po ndodh, por ka ardhur koha.
Gratë dhe burrat kanë modele të ndryshme të sëmundjes së zemrës
Dr. C. Noel Bairey Merz vuri në dukje një dallim të rëndësishëm mes goditjes në zemër te burrat dhe te gratë. Te gratë, simptomat e sëmundjeve të zemrës ndryshojnë nga ato për të cilat kemi shpenzuar 50 vite për t’i kuptuar, për të gjetur terapi dhe instrumente diagnostikuese shumë të mira. Këto vlejnë vetëm për burrat. Por gratë janë ndryshe: sëmundjet e tyre të zemrës nuk njihen dhe ato thjesht anashkalohen. Ato nuk trajtohen, nuk diagnostikohen dhe nuk përfitojnë nga avantazhet e mjekësisë moderne.(3)
Cili është modeli i një goditjeje në zemër te burrat? Ajo shkakton dhimbje të tmerrshme në kraharor e cila shfaqet në EKG dhe mjekët arrijnë të shohin kurbën anormale. Në mes të arteries ndodhet një koagulë e madhe e cila duhet të hiqet. Disa gra pësojnë goditje të tilla në zemër, por shumica dërrmuese kanë simptoma të tjera. Koagula nuk e bllokon plotësisht arterien, simptomat janë të lehta, rezultatet e EKG-së janë të ndryshme, prandaj këto gra shpesh nuk diagnostikohen dhe dërgohen në shtëpi.
Terapia me qeliza staminale te femrat mund të jetë zgjidhja
Dr. Bairey Merz thekson rëndësinë e studimeve me qeliza staminale, dhe veçanërisht përdorimin e terapisë me qeliza staminale te femrat. “Lind pyetja, ku qëndron dallimi i madh mes fiziologjisë së grave dhe burrave? Te fakti që gratë sjellin një qenie në jetë. E gjithë kjo falë qelizave staminale. Kështu, ngritëm hipotezën se qelizat staminale te femrat mund të jenë më të afta për të identifikuar dëmtimin, për të bërë riparime në nivel qelizor, apo madje edhe për të prodhuar organe të reja, çka është një nga gjërat që po përpiqemi të bëjmë me terapinë e qelizave staminale.”(4)
Edhe pse në 15 vitet e fundit ka pasur një rënie të vdekshmërisë së femrave si rezultat i kërkimeve dhe fushatave ndërgjegjësuese, vdekshmëria nga goditja në zemër te gratë mbetet ende 2 deri në 3 herë më e madhe se sa te burrat. Ajo i bën thirrje të gjitha femrave t’i bashkohen Fushatës së Fustanit të Kuq (Red Dress Campaign), një iniciativë e ndërmarrë për të mbrojtur shëndetin kardiak të grave në mbarë botën.
Në lidhjen e mëposhtme do të gjeni prezantimin e plotë:
http://www.ted.com/talks/noel_bairey_merz_the_single_biggest_health_threat_women_face
* TED është një OJF e përkushtuar ndaj përhapjes së ideve, zakonisht në formën e bisedave të shkurtra, por tejet influencuese (18 ose më pak minuta). TED nisi në vitin 1984 si një konferencë ku u gërshetua Teknologjia, Argëtimi dhe Dizajni. Ja si u formua shkurtimi i emrit: T për Teknologji, E për Argëtim (Entertainment), D për Dizajn. Sot ajo mbulon pothuajse të gjitha fushat, nga shkenca dhe biznesi e deri te çështjet globale.
Referenca
- (1) Canto JG, Kiefe CI. Age-specific analyses of breast cancer versus heart disease mortality in women. Am J Cardiol. 2014;113(2):410-411. doi:10.1016/j.amjcard.2013.08.055. Return to content
- (2) American Heart Association. Statistical Fact Sheet 2013 Update. Women & Cardiovascular Diseases. Available at: https://www.heart.org/idc/groups/heart-public/@wcm/@sop/@smd/documents/downloadable/ucm_319576.pdf [accessed 30 June 2020]). Return to content
- (3) Dey S, Flather MD, Devlin G, et al. Sex-related differences in the presentation, treatment and outcomes among patients with acute coronary syndromes: the Global Registry of Acute Coronary Events. Heart. 2009;95(1):20-26. doi:10.1136/hrt.2007.138537. Return to content
- (4) Manukyan MC, Weil BR, Wang Y, et al. Female stem cells are superior to males in preserving myocardial function following endotoxemia. Am J Physiol Regul Integr Comp Physiol. 2011;300(6):R1506-R1514. doi:10.1152/ajpregu.00518.2010. Return to content
Artikuj të ngjashëm:
Tabletat Aspirin® Protect rekomandohen për uljen e rrezikut të vdekshmërisë tek pacientët që dyshohen për infarkt akut të miokardit ; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me infarkt miokardi të mëparshëm; për parandalimin dytësor të insultit cerebral; për uljen e rrezikut të pamjaftueshmërisë së përkohëshme të qarkullimit në tru (i quajtur ataku ishemik tranzitor) dhe insultit cerebral tek pacientët me atak ishemik tranzitor; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me angina pektoris të qëndrueshme e të paqëndrueshme (sëmundje kardiake të karakterizuara nga dhimbje spastike, kontraktuese në gjoks); për parandalimin e bllokimit të qarkullimit si pasojë e mpiksjes së gjakut (tromboembolizmit) pas disa lloj ndërhyrjesh kirurgjikale vaskulare; për uljen e rrezikut të infarktit parësor të miokardit tek personat me faktorë rreziku kardiovaskular (si diabet mellitus, hiperlipidemi , hipertension, obezitet , duhanpirje, moshë e madhe).
Bar pa recetë me përmbajtje acidi acetilsalicilik. Bayer d.o.o Zyre Perfaqësie Tiranë
Rruga Elbasanit, nr 60, Pall Gerard-A. 1, shk 1/1. Tiranë, Shqipëri
Përpara përdorimit lexoni më kujdes udhëzimet për përdorimin, dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme.