Reagimi ndaj stresit i shërben mirë individit kur kërcënimi është i përkohshëm. Megjithatë, kur kërcënimi real ose i perceptuar vazhdon, mund të shfaqen probleme shëndetësore, duke krijuar stres kronik. Stresi kronik është përhapur gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Nivelet e larta të stresit të punës ose okupacional janë të lidhura me një rrezik më të lartë hipertensioni, sëmundjesh koronare të zemrës dhe vdekjeje nga shkaqe kardiovaskulare 5.
Jo i gjithë stresi është i keq. Çelësi është menaxhimi i duhur i stresit. Lexoni artikullin për të mësuar se si mund ta menaxhoni stresin.
Stresi i mirë dhe stresi i keq
Megjithëse fjala "stres" ka konotacione negative, është e rëndësishme të kuptoni se stresi është i rëndësishëm nga pikëpamja zhvillimore. Qëllimi fillestar i stresit është të shkaktojë një reagim fiziologjik ndaj stresit për të nxitur mbijetesën gjatë përballjes ose arratisjes: p.sh. zbulimi i një kërcënimi dhe organizimi i reagimit fiziologjik me anë të aktivizimit të funksionit muskulor që ju mundëson të përballeni ose të arratiseni.
Stresi afatshkurtër, i cili zgjat për një periudhë nga disa minuta deri në disa orë, e përgatit sistemin kardiovaskular , muskuloskeletor dhe neuroendokrin për t'u përballur ose për t'u arratisur. Një situatë e tillë e përballjes ose arratisjes mund të imponohet nga një faktor stresues; p.sh. një grabitqar në kohët e lashta ose një procedurë kirurgjikale në kohët e sotme. Ndërkohë që ky lloj stresi afatshkurtër (p.sh. përmirësimi i mbrojtjeve imunitare me qëllim shërimin e plagëve) mund të jetë mbrojtës, stresi që vazhdon për javë ose muaj është përgjithësisht i dëmshëm 1. Stresi afatgjatë mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme të shëndetit fizik dhe mendor, ndër të cilat sëmundje kardiovaskulare 1,2.
Stresi kronik është një faktor rreziku për:
-
hipertension dhe sëmundje kardiovaskulare,
-
diabet,
-
çrregullime të gjumit,
-
luhatje të humorit, ankth, depresion,
-
çrregullime të tretjes,
-
sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes,
-
frenim të sistemit imunitar,
Stresi psikosocial mund të jetë burimi kryesor i stresit kronik
Stresi psikosocial përfshin
-
stres të madh në jetë (p.sh. okupacional, p.sh. humbja e punës, divorci ose faktorë të tjerë të lidhur me marrëdhëniet, vdekja e një të afërmi)
-
faktorët socio-ekonomikë (p.sh. të ardhurat e ulëta, krimi)
-
gjendje të shëndetit mendor (p.sh. depresioni, ankthi) 2.
A e dinit se?
Stresi kronik është përhapur gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Mbi një e treta e popullsisë së gjithë botës raporton nivele të rritura të stresit 2,3. Rreth 2 në 3 punëmarrës shprehen se puna është një burim i konsiderueshëm stresi për shkak të orëve të zgjatura të punës, sforcimit fizik, kërkesës së lartë dhe pasigurisë në vendin e punës 4.
Stresi dhe sëmundjet kardiovaskulare
-
Stresi kronik është shumë i lidhur me sëmundjet kardiovaskulare 2.
-
Faktorët psikosocialë mbartin rrezik për infarktin e miokardit të ngjashëm me atë të faktorëve "të zakonshëm" të rrezikut për infarktin e miokardit siç janë duhanpirja ose alkooli 2.
-
Nivelet e larta të stresit të punës ose okupacional janë të lidhura me një rrezik më të lartë hipertensioni, sëmundjesh koronare të zemrës dhe vdekjeje nga shkaqe kardiovaskulare 2,5.
-
Stresi kronik në punë dhe në jetën private është i lidhur me një rritje 40-50% të ndodhive të sëmundjeve koronare të zemrës. 5.
Ju mund të pyesni veten se si lidhet stresi kronik me sëmundjet kardiovaskulare.
Dy rrugë janë përgjegjëse për efektet e dëmshme të stresit kronik
-
Truri dhe korteksi adrenal janë të lidhur ngushtësisht. Si reagim ndaj stresit, korteksi adrenal çliron kortizol në sistemin e qarkullimit të gjakut. Ndër të tjera, kjo ngarkesë kortizoli mund të çojë në formimin e pllakës aterosklerotike dhe presion të lartë të gjakut 2.
-
Si rezultat i stresit kronik, efekti i adrenalinës mbizotëron. Adrenalina shkakton përshpejtimin e frymëmarrjes dhe të ritmit kardiak dhe rritjen e presionit të gjakut. Këto ndryshime mund të rezultojnë në rritjen e rrezikut për aritmi , agregim të pllakëzave të gjakut, sindromë koronare akute dhe insuficiencë kardiake 2,6
Si mund ta menaxhoni stresin?
Menaxhimi i duhur i stresit mund të jetë efikas në reduktimin e rreziqeve shëndetësore të lidhura me stresin afatgjatë "të patrajtuar" 3-6.
Ka disa mënyra për ta përballuar stresin 6:
-
Provoni t'i thoni vetes fjalë pozitive: p.sh. në vend që të thoni "Nuk mund ta bëj këtë", thoni "Do të bëj më të mirën që mundem".
-
Gjeni 15-20 minuta në ditë për t'u ulur në qetësi, për t'u çlodhur, për t'u mbushur thellë me frymë dhe për të menduar për diçka paqësore.
-
Mos harroni aktivitetin fizik. Të ecurit, noti, hipizmi, shëtitjet me biçikletë dhe joga mund t'ju ndihmojnë të ndiheni shumë më mirë.
-
Përpiquni të bëni çdo ditë të paktën një gjë (p.sh. lexim, kopshtari, të krijoni diçka, të ngjyrosni) që ju pëlqen, edhe nëse e bëni vetëm për 15 minuta.
-
Flini mjaftueshëm. Idealja është 7-8 orë gjumë në natë 4.
Figura 1.
Analogjia e kovës së stresit në bazë të Franklin et al.: kova përfaqëson nivelin e tolerancës ndaj stresit të një individi. Madhësia e kovës varet nga fiziologjia, personaliteti dhe përvojat jetësore të personit. Niveli i ujit në kovë përfaqëson shumën e të gjitha streseve në jetën e individit në atë kohë. Nëse kova mbushet përplot, mund të zhvillohen probleme shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare. Për të mos lejuar që uji i kovës të derdhet, individët përdorin strategji përballimi. Strategjitë e përballimit janë të ngjashme me rubinetët në kovë për shkarkimin e ujit. Njerëzit e stresuar mund të konsumojnë më shumë ushqim, më shumë alkool dhe duhan. Këta rubinetë me defekte ofrojnë çlirim të përkohshëm, por në fund shkaktojnë mbushjen e kovës me më shumë ujë 2,6
PP-M_ASA_C-AL-0031-1 24.03.2023 1380/1 24.04.2023
Literatura
- (1) Dhabbar FS. Effects of stress on immune function: the good, the bad, and the beautiful. Immunol Res. 2014; 58:193-210. Return to content
- (2) Franklin BA, Rusia A, Haskin-Popp C et al. Chronic stress, exercise and cardiovascular disease: Placing the benefits and risks of physical activity into perspective. Int J Environ Res Public Health 2021; 18:9922. Return to content
- (3) Kulkarni S, O’Farrell I, Erasi M et al. Stress and hypertension. 1998; 97:34-38. Return to content
- (4) Chronic stress can cause heart trouble. https://www.heart.org/en/news/2020/02/04/chronic-stress-can-cause-heart-trouble Return to content
- (5) Steptoe A, Kivimäki M. Stress and cardiovascular disease. Nature Rev Cardiol. 2012; 9:360-370. Return to content
- (6) American Heart Association. How can I manage stress? Answers by Heart. 2015. Return to content
Artikuj të ngjashëm:
Tabletat Aspirin® Protect rekomandohen për uljen e rrezikut të vdekshmërisë tek pacientët që dyshohen për infarkt akut të miokardit ; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me infarkt miokardi të mëparshëm; për parandalimin dytësor të insultit cerebral; për uljen e rrezikut të pamjaftueshmërisë së përkohëshme të qarkullimit në tru (i quajtur ataku ishemik tranzitor) dhe insultit cerebral tek pacientët me atak ishemik tranzitor; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me angina pektoris të qëndrueshme e të paqëndrueshme (sëmundje kardiake të karakterizuara nga dhimbje spastike, kontraktuese në gjoks); për parandalimin e bllokimit të qarkullimit si pasojë e mpiksjes së gjakut (tromboembolizmit) pas disa lloj ndërhyrjesh kirurgjikale vaskulare; për uljen e rrezikut të infarktit parësor të miokardit tek personat me faktorë rreziku kardiovaskular (si diabet mellitus, hiperlipidemi , hipertension, obezitet , duhanpirje, moshë e madhe).
Bar pa recetë me përmbajtje acidi acetilsalicilik. Bayer d.o.o Zyre Perfaqësie Tiranë
Rruga Elbasanit, nr 60, Pall Gerard-A. 1, shk 1/1. Tiranë, Shqipëri
Përpara përdorimit lexoni më kujdes udhëzimet për përdorimin, dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme.