Udhëtimi për të sëmurët me zemër
Shumë njerëz me sëmundje dhe probleme të ndryshme të zemrës bëjnë plane për të kaluar pushimet verore jashtë vendit. Me pak planifikim dhe përgatitje, udhëtimi për ta mund të jetë shumë i sigurt.
Është e rëndësishme të merrni këshilla mjekësore nga mjeku përpara udhëtimit.
Shtyjeni udhëtimin tuaj nëse...
- jeni duke përjetuar dhimbje akute në kraharor, insuficiencë kardiake , aritmi apo simptoma të tjera të ngjashme, edhe kur jeni duke pushuar apo duke bërë një sforcim minimal
- keni pësuar atak në zemër apo arrest kardiak si pasojë e një ataku në zemër brenda dy javëve përpara udhëtimit apo gjatë 8 javëve të fundit
- për diabetikët, çështja është më e ndërlikuar, ndaj këshillohuni me mjekun tuaj kur të bëni plane udhëtimi.
Përgatitja për udhëtim
Nëse nuk keni bërë asnjë kontroll kohët e fundit, bëni një vizitë te mjeku përpara se të niseni. Kështu, jo vetëm mësoni nëse gjendja juaj është e stabilizuar, por edhe merrni nga mjeku vërtetime të rëndësishme në lidhje me gjendjen tuaj.
- Kërkojini mjekut t’ju japë dosjen dhe kartelën tuaj mjekësore, ku të përfshihen edhe rezultatet më të fundit të angiogramës, dhe mbajini me vete gjaţë udhëtimit.
- Mbani shënim emrin dhe të dhënat e kontaktit të mjekut tuaj dhe të dhënat e kontaktit në rast urgjence.
- Mbani me vete një listë të të gjitha barnave tuaja (duke përfshirë emrat dhe dozat e rekomanduara).
- Sigurohuni që barnat që merrni me vete të jenë të mjaftueshme për udhëtimin. Nëse do të jetë e nevojshme, kërkojini mjekut t’ju japë recetë për një sasi më të madhe barnash. Furnizohuni me barna në sasi më të mëdha nga ç'ju nevojitet, për çdo rast.
- Mbajini barnat në paketimin e tyre origjinal për ta pasur më të lehtë kalimin në doganë dhe për të ndihmuar mjekët vendas të cilëve mund t’u duhet t’ju trajtojnë jashtë vendit.
- Mbani barnat në valixhen tuaj të dorës, në mënyrë që mos të humbni ndonjë dozë ndërkohë që prisni valixhet e vonuara apo të humbura në aeroport.
Udhëtimi ajror
Normalisht, fluturimi nuk përbën rrezik të shtuar për personat që vuajnë nga zemra. Sipas specialistëve, nëse mund të ngjisni shkallët e avionit pa ndaluar për të pushuar, apo nëse mund të ecni për 100 metra me hap të shpejtë pa ju marrë fryma dhe pa patur shtrëngim në kraharor, nuk keni pse shqetësoheni për fluturimin.
Duke qenë se vetëm personat me gjendje të stabilizuar të zemrës lejohen të fluturojnë, është relativisht e rrallë që gjatë fluturimit të ndodhin probleme të rënda. Për fat, pjesa më e madhe e aeroporteve, dhe madje edhe disa avionë, kanë defibrilatorë.
Herë pas here qarkullojnë fjalë se fluturimi mund të ndikojë te pacemaker, por nuk ka asnjë provë bindëse që e konfirmon këtë. Duke qenë se këta stimulues mund të aktivizojnë alarmin te portat e sigurisë, duhet të njoftoni personelin e sigurisë së aeroportit për çdo implant mjekësor që mund të keni.
Koagulimi i gjakut është rreziku më i madh që paraqet fluturimi për personat që vuajnë nga zemra. Gjatë fluturimeve të gjata, buzët e ndenjëseve mund të ushtrojnë presion mbi venat nën pjesën e pasme të gjunjëve, sidomos nëse jeni mbipeshë, duke bërë që gjaku të qarkullojë më ngadalë. Kur shkëputet, koagula e gjakut mund të bllokojë venat më të vogla, gjë që do të çonte në infarkt , iktus dhe embolizëm në mushkëri. Përveç qëndrimit ulur, niveli i ulët i lagështisë në bord kontribuon gjithashtu në krijimin e koagulave përmes dehidratimit dhe përqendrimit të gjakut. Trysnia atmosferike është gjithashtu më e ulët brenda avionit, ku nivelet e oksigjenit korrespondojnë me 2 deri në 3 mijë metra lartësi, çka shkakton çlirimin e koagulantëve në qarkullimin e gjakut dhe sforcon zemrën.(1,2)
Për rrjedhojë, përmirësimi i qarkullimit të gjakut dhe hidratimi janë mënyrat më efektive për të parandaluar infarktin në zemër dhe iktusin gjatë fluturimit.
- Përpiquni të zini një ndenjëse me hapësirë më të madhe për këmbët. Nëse mbani radhë për të kryer “check-in” (apo e kryeni “check-in” nga interneti), ka gjasa të gjeni ndenjëse të rehatshme.
- Lëvizni dhe shtriqni këmbët çdo tridhjetë minuta. Kur keni mundësi, ngrihuni dhe bëni një ecejake në korridor.
- Vishni rroba të lirshme dhe të rehatshme. Mbathni këpucë që hiqen me lehtësi.
- Mos konsumoni alkool gjatë fluturimit, pasi rrit dehidratimin.
- Qëndroni të hidratuar, mundësisht me ujë.
- Në disa raste, merrni në konsideratë të mbani veshur çorape ortopedike.
Shmangni fluturimin nëse keni...(3)
- Infarkt miokardi brenda 2 javëve të mëparshme
- Anginë të paqëndrueshme
- Bajpas të arteries koronare brenda 2 javëve të mëparshme
- Insuficiencë kardiake të pakompensuar ose të kompensuar dobët
- Aritmi të pakontrolluar ventrikulare ose supraventrikulare
Pacientët me pacemaker dhe defibrilatorë (4)
Pacemaker dhe defibrilatorët kardiakë janë në thelb të ndjeshëm ndaj ndërhyrjes elektromagnetike në prani të fushave të forta elektrike ose magnetike. Pajisjet moderne janë të mbrojtura mirë kundër rrezatimit elektromagnetik.
Pacientët duhet të këshillohen të ecin nëpër porta me një ritëm normal nëse kërkohet ta bëjnë këtë dhe të mos qëndrojnë në afërsi. Sidoqoftë, ata duhet të lajmërojnë stafin e sigurisë për praninë e pajisjes pasi shtresa metalike e pajisjes mund të aktivizojë alarmin.
Të dhënat e grumbulluara sugjerojnë që rreziku i nderhyrjes elektromagnetike të rëndësishme që prek stimuluesit kardiak pacemaker ose defibrilatorët kardiak në mjedisin e aeroplanit është minimal.
Alternativa përveç fluturimit
Nëse do t’ju duhet të hiqni dorë nga ideja e udhëtimit me avion, mund të përpiqeni të zgjidhni një destinacion më të afërt i cili arrihet me makinë, autobus apo tren. Ky i fundit ofron mundësi më të mëdha për të lëvizur. Trysnia atmosferike dhe nivelet e oksigjenit gjithashtu nuk përbëjnë problem, duke eliminuar kështu rrezikun e krijimit të koagulave dhe trombozën e venave të thella.
Sigurimi
Edhe nëse nuk keni asnjë problem shëndetësor, është mirë të përgatiteni për të papritura kur udhëtoni jashtë vendit. Aksidentet mund të ndodhin në çdo moment dhe kostot e mjekimit mund të jenë shumë të kripura nëse do t’ju duhet t’i paguani nga xhepi. Mësoni rreth opsioneve të mundshme në lidhje me prerjen e sigurimit të udhëtimit nga kompani të ndryshme sigurimi nëse vuani nga zemra.
Pasi të keni marrë të gjitha masat e nevojshme dhe mjeku ka deklaruar se mund të udhëtonit, atëherë jeni gati për rrugë!
Rrugë të mbarë!
Referenca
- (1) American Heart Association. Travel and Heart Disease. Available at: https://www.heart.org/en/health-topics/consumer-healthcare/what-is-cardiovascular-disease/travel-and-heart-disease [accessed 30 June 2020] Return to content
- (2) Joy M. Cardiovascular disease and airline travel. Heart. 2007;93(12):1507-1509. doi:10.1136/hrt.2007.134247. Return to content
- (3) Possick S. Barry M. Air Travel and Cardiovascular Disease Stephen J Travel Med 2004; 11:243–250. Return to content
- (4) David Smith 1, William Toff, Michael Joy, et al. Fitness to fly for passengers with cardiovascular disease. Heart 2010 Aug;96 Suppl 2:ii1-16 Return to content
Artikuj të ngjashëm:
Tabletat Aspirin® Protect rekomandohen për uljen e rrezikut të vdekshmërisë tek pacientët që dyshohen për infarkt akut të miokardit ; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me infarkt miokardi të mëparshëm; për parandalimin dytësor të insultit cerebral; për uljen e rrezikut të pamjaftueshmërisë së përkohëshme të qarkullimit në tru (i quajtur ataku ishemik tranzitor) dhe insultit cerebral tek pacientët me atak ishemik tranzitor; për uljen e rrezikut të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek pacientët me angina pektoris të qëndrueshme e të paqëndrueshme (sëmundje kardiake të karakterizuara nga dhimbje spastike, kontraktuese në gjoks); për parandalimin e bllokimit të qarkullimit si pasojë e mpiksjes së gjakut (tromboembolizmit) pas disa lloj ndërhyrjesh kirurgjikale vaskulare; për uljen e rrezikut të infarktit parësor të miokardit tek personat me faktorë rreziku kardiovaskular (si diabet mellitus, hiperlipidemi , hipertension, obezitet , duhanpirje, moshë e madhe).
Bar pa recetë me përmbajtje acidi acetilsalicilik. Bayer d.o.o Zyre Perfaqësie Tiranë
Rruga Elbasanit, nr 60, Pall Gerard-A. 1, shk 1/1. Tiranë, Shqipëri
Përpara përdorimit lexoni më kujdes udhëzimet për përdorimin, dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për rreziqet ose efektet e padëshiruara të mundshme.